Universiteti i Evropës Juglindore

Profili i Universitetit

UEJL zhvillon aktivitetet e saj akademike në dy qendra për mësim: në qytezën universitare në Tetovë dhe në qendrën e re universitare për mësim në qendër të kryeqytetit të Shkup-it.

 

Qyteza universitare në Tetovë është ndërtuar sipas parimit gjithçka në një vend, duke mundësuar interaksion gjithëpërfshirës midis studentëve të të gjitha disiplinave të studimit. Qyteza universitare ngërthen në vete hapësira të gjelbëruara dhe objekte akomodimi, përfshirë katër amfiteatro të mëdhenj me kapacitet për 200 deri në 500 studentë, më shumë se 30 klasa me kapacitet prej 30 deri 60 studentë, dy qendra kompjuterike bashkëkohore me më shumë se 650 kompjuterë, librari, konvikte për banim dhe një numër të madh të fushave për rekreacion.

Qyteza vazhdimisht është zgjeruar me ndërtesa të reja, duke u kontribuar kapaciteteve ekzistuese për studim, p.sh. para pak kohësh universiteti u zgjerua me 8 laboratorë të rinj, me 150 kompjuterë të tipit “Sun Thin Client” dhe 50 kompjuterë të zakonshëm për përkrahje të mësimdhënies, mësimnxënies dhe kërkimeve shkencore në Universitet. Pajisjet e mësimdhënies janë moderne dhe praktike, duke ofruar kushte optimale për aplikim të mësimit interaktiv.

 

Qendra e mësimit universitar në Shkup nuk është aq e madhe sa qyteza universitare në Tetovë, por i përmban të gjitha veçoritë esenciale që e bëjnë UEJL-ën një universitet unik dhe evropian dhe një vend të mrekullueshëm për të fituar dije dhe diplomë. Qendra e mësimit universitar në Shkup gjendet në qendër të Shkupit, afër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përballë ambasadës së Italisë.

 

Qyteza e UEJL-ës është e vetmja në Maqedoni, por edhe më gjerë, në të cilën që nga faza e projektimit dhe e ndërtimit i është kushtuar kujdes mbrojtjes nga ndotja e mjedisit jetësor. Një hapësirë e madhe e qytezës, afër 25.000 m2 është e mbjellë me gjelbërim. Afër 60% të materialeve të përdorura në fazën e ndërtimit janë me karakteristika ekologjike.

 

Universiteti përdor ujë nga burimet e veta, i cili më vone filtrohet dhe është me cilësi të lartë dhe mundësi për përdorim të mëtutjeshëm. Në UEJL rëndësi e posaçme i kushtohet edhe përzgjedhjes dhe riciklimit të mbeturinave, kështu që bëhet ndarja e letrës dhe mbeturinave të tjera, të cilat më vonë dërgohen për riciklim në fabrika përkatëse.

 

UEJL investon në mënyrë të vazhdueshme në teknologjitë që rrisin efiçencën e energjisë së përdorur elektrike, me çka kursehen sasi të mëdha të energjisë elektrike. UEJL, gjithashtu, parasheh investime në prodhimin e energjisë elektrike nga resurse që ripërtërihen, me çka jo vetëm që do të ndikohet në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit jetësor në Maqedoni, por edhe do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e Maqedonisë.