Qëllimi i programit mësimdhënia e gjuhës angleze është që t`i pajisë studentët me njohuri solide nga teoritë e metodologjisë dhe t’i familjarizojë ata me shkathtësitë e nevojshme për t’i vënë në zbatim njëkohësisht edhe teoritë e fituara në praktikën mësimore. Përzgjedhja e lëndëve individuale reflekton trendet e tanishme në mësimin e gjuhës së dytë duke ndihmuar po ashtu edhe identifikimin e nevojave vendore dhe rajonale.
Programi është dizajnuar kryesisht për të diplomuar në gjuhën angleze si gjuhë e huaj, respektivisht për ata që dëshirojnë të specializohen dhe të zhvillojnë shkathtësitë e tyre në pedagogjinë e mësimdhënies së gjuhës angleze. Aty përfshihet gjithashtu edhe komponenti i kërkimeve dhe hulumtimeve (ai cilësor dhe sasior së bashku), mandej ai akademik, si dhe “hulumtimet moderne” të kryera vet në klasë.
Shumica e studentëve në program duhet të kenë të nisur karrierën (punën) e tyre në mësimdhënie. Për t’ua lehtësuar ndjekjen e orëve, orët janë të parapara të mbahen gjatë fundjavëve, jashtë orarit të zakonshëm të punës. Shumica e lëndëve ofrojnë trajnime të specializuara të cilat instruktorët e anglishtes do t’i vlerësojnë si shumë të dobishme, siç janë: metodologjia e mësimdhënies së gjuhës së huaj, menaxhimi orës, të shkruarit dhe gramatika pedagogjike, mësimi i gjuhës me ndihmën e kompjuterit dhe analiza e nevojave. E gjithë kjo është bazuar në parimet më të shkëlqyera të trajnimit modern të mësimdhënësit nga vendet anglishtfolëse të aplikuara në kontekstin ballkanik.
Ndërkohë që ky program është i dizajnuar në mënyrë specifike për nevojat e mësimdhënësve të gjuhës angleze, programi ynë është njëkohësisht efektiv në pajisjen e studentëve me shkathtësi të nevojshme për hulumtime akademike të avancuara, por mund të jetë i dobishëm edhe për ata studentë të cilët duan të bëhen përkthyes, kritikë, botues të ndryshëm ose shkrimtarë.
Programi zhvillohet në katër semestra instruksione mësimi, respektivisht ligjërata, të përcjella me hulumtime, si dhe me shkrimin e tezës së magjistraturës.