Në fjalën e tij të rastit, Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, theksoi se Universiteti mbush 23 vite, pikërisht në muajin kur ne festojmë edhe data të tjera të rëndësishme për kominitetin tonë, si të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe të Flamurit tonë kombëtar.
“UEJL-ja vazhdon me sukses procesi i zgjerimit horizontal akademik, konform kërkesave të tregut të punës. Gjenerata e tretë në Fakultetin e Shkencave Shëndetësore me dy programe bachelor, shënon rritje mbi 65% krahasuar me atë të gjeneratës së parë. Aktualisht jemi duke punuar për krijimin e Qendrës terapeutike për praktikat studentore (SEEU-Life), por edhe për shërbime të komunitetit në një ambient me kushte pune të shkëlqyera. Programi i Arkitekturës dhe Dizajnit, me të gjitha nënprogramet specifike në studime të integruara 10 semestrale e arrin numrin prej reth 300 studentë. Kjo e imponoi nevojën në krijimin e fakultetit të veçantë, atë të Shkencave Teknike, proces që me sukses u rrumbullaksua që në qershor të këtij viti. Pos këtyre dy fakulteteve me rritje të larta sivjet për befasi të këndshme, edhe Fakulteti i BE arriti një rritje të lart mbi 40% krahasimisht me vitin paraprak.”, theksoi në fjalimin e tij Rektori Bexheti.
“UEJL, me sukses vazhdon të rrugëtojë si Universitet unik tre-gjuhësor, me 45 programe studimore deridiplomike dhe të ciklit të dytë, 2 programe specialistike dhe 12 programe studimore të ciklit të tretë, me gjithsej mbi 4.500 studentë aktiv dhe rreth 3000 studentë të “parkuar”, siç i quajmë ne studentët me ngecje në studime. Me ristrukturimin e vazhdueshëm akademik të programeve, ky numër dukshëm do të vazhdojë të rritet edhe në programet e reja, tanimë të dukshme në horizontin e ofertave konform kërkesave të tregut të punës. Në këtë proces të zgjerimit programor, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të „thellësisë” akademike në mësimnxënie karshi “gjerësisë” së programeve dhe profileve akademike.”, theksoi mes tjerash Rektori Bexheti.
“UEJL mishëron këtë frymë të evolucionit të vazhdueshëm, duke iu përshtatur nevojave të studentëve tanë dhe botës në ndryshim të vazhdueshëm. Ashtu si pjerrësia e Tokës që siguron ekuilibër në natyrë, UEJL-ja përpiqet për ekuilibër ndërmjet rigorozitetit akademik dhe aplikimit praktik, duke siguruar që të diplomuarit tanë të jenë të përgatitur mirë për sfidat e karrierës së tyre.”, tha në fjalimin e tij Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tochtermann.
Në kuadër të Ceremonisë, Rektori dhe Kryetari i Bordit, në mënyrë simbolike të punësuarve që mbushin 20 dhe 10 vite pune iu ndau dhurata të personalizuara dhe mirënjohje. Mirënjohje iu ndanë edhe personaliteteve që kanë kontribuuar në ndërkombëtarizimin dhe zhvillimin e Universitetit.
Në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të 23-të të Universitetit u promovuan doktorantët e gjeneratës 2023-2024, të cilët në mënyrë solemne i pranuan diplomat.
Kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Mevlan Ademi, në fjalimin e tij uroi stafin për përkushtimin ndaj studentëve dhe në veçanti Rektorin Bexheti, të cilit simbolikisht në shenjë falënderimi dhe mirënjohje i dhuroi një plaketë.
Dueti me instrumente frymore Driton Beqiri dhe Argjira Çollaku u kujdesën për anën artistike të Ceremonisë.
