Rreth Universitetit
Universiteti i Evropës Juglindore është institucion i arsimit të lartë privat, publik, jofitimprurës, i cili përbëhet nga fakultetet, qendrat dhe institutet si pjesë integrale të tij, i specializuar në shkencat socio-ekonomike.
Fakultetet janë njësi organizative brenda Universitetit që veprojnë nëpërmjet Këshillit të Fakultetit dhe në kuadër të politikave të Universitetit të miratuara nga Bordi i Universitetit ose Komiteti Ekzekutiv. Universiteti i Evropës Juglindore përbëhet nga shtatë fakultete edhe atë: Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, Fakulteti i Shkencave Shëndetësore dhe Fakulteti i Shkencave Teknike.
Misioni i universitetit i definuar në Statut synon përsosjen në mësimdhënie dhe hulumtim në kuadër të sistemit të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke ofruar mundësi të njëjta për të gjithë në bazë të paanësisë dhe meritës. Bashkëpunimi aktiv me universitetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe universitetet ndërkombëtare është një nga elementet kyçe të misionit të universitetit.
Qëllimi kryesor në bazë të të cilit udhëhiqet dhe menaxhohet ky universitet është kontributdhënia në arsimin e lartë në gjuhën shqipe, ku përmes një mirëkuptimi të ndërsjellë ndëretnik, mëton të sigurojë qasje shumëgjuhësore dhe shumëkulturore ndaj mësimdhënies dhe hulumtimit, duke zhvilluar programe studimore të frymës së gjerë evropiane dhe ndërkombëtare.
Organet udhëheqëse të Universitetit janë Bordi i Universitetit, Rektori, Senati dhe Dretoria Rektorale.
Universiteti i Evropës Juglindore është radhitur i treti në nivel shtetëror nga 19 universitete të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky rangim është bërë nga vlerësuesit e jashtëm -Universiteti Shanghai Jiao Tong.