Fjalën e mirëseardhjes e mbajtën Prof. Dr. Besa Arifi, Prorektore për Hulumtim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në UEJL, dhe Doc. Dr. Albana Metaj-Stojanova, Koordinatore e Fakultetit të Drejtësisë.
Në sesionin e pare me temë “Perspektivat Ligjore dhe Institucionale”, pjesëmarrësit diskutuan rëndësinë e të drejtave të njeriut nga këndvështrimi ligjor dhe institucional.
Prof. Dr. Bekim Nuhija theksoi rolin e rëndësishëm që luan mbrojtja e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike, ndërsa Xhemali Saiti, gjyqtar në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut, ndau përvojën e institucionit në promovimin dhe garantimin e të drejtave. Ilir Iseni, zëvendësdrejtor i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë, u ndal te rëndësia e trajnimit të profesionistëve ligjorë për mbrojtjen efektive të të drejtave.
Në panelin e dytë, me temë: “Qasja Praktike në Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut”, fokusi ishte mbi qasjet praktike dhe sfidat në terren.
Vesna Kostiq Ivanoviq, këshilltare shtetërore në Zyrën e Avokatit të Popullit, foli mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, kurse Vildan Drpljanin, bashkëpunëtor për mbrojtje në UNHCR-së, theksoi rëndësinë e adresimit të pa-shtetësisë për të siguruar dinjitet dhe përkatësi.
Elizabeta Bozinoska, drejtoreshë programore e HERA-s, trajtoi temën e dhunës me bazë gjinore dhe ndikimin e saj në barazinë gjinore.
Ngjarja përfundoi me një sesion pyetjesh dhe komentesh nga publiku, duke krijuar një platformë dinamike për shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave. Në përmbyllje, moderatorja Elisa Murseli vlerësoi diskutimet si një hap të rëndësishëm drejt sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi unike për të reflektuar mbi sfidat dhe progresin në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në këtë drejtim
