Para ligjëratës, ambasadorja Aggeler u prit në një takim nga Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i shoqëruar nga Prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hulumtime, Prof. Dr. Besa Arifi.
Rektori Bexheti falënderoi ambasadoren për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve në zhvillimin e UEJL-së, duke theksuar përfitimet nga partneritetet me universitetet amerikane.
„Falënderoj taksapaguesit amerikan për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme jo vetëm në infrastrukturë, por edhe superstrukturë, duke mundësuar që 1/3 e stafit të jenë pjesë e programeve studimore në universitete të ndryshme amerikane dhe të ndërtojnë karrierën e tyre ndërkombëtare”, u shpreh Rektori Bexheti.
Nga ana e saj, ambasadorja Aggeler vlerësoi rëndësinë e UEJL-së si një partner arsimor i SHBA-ve.
“Jam e nderuar që ndodhem këtu dhe më gëzon shumë takimi me studentët. UEJL-ja si partner arsimor me vite të tëra ka mirëpritur shumë bursistë Fulbright dhe është kontribuuesi më i madh në shkëmbimin akademik midis dy vendeve”, tha ambasadorja.
Në ligjëratën e saj, ambasadorja Aggeler foli për rëndësinë e arsimit të lartë në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar dhe për rolin kyç që të rinjtë kanë në përballjen me sfidat globale. Ajo theksoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Maqedoninë e Veriut në proceset demokratike dhe integruese.
Studentët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje për ambasadoren Aggeler, të cilat përfshinin tema nga marrëdhëniet bilaterale SHBA-Maqedonia e Veriut, sfidat globale dhe rolin e të rinjve në promovimin e paqes dhe stabilitetit.
Në fund të ligjëratës, në shenjë mirënjohje, në emër të studentëve, kryetari i Parlamentit Studentor, Mevlan Ademi, i dha ambasadores Aggeler, një plaketë me emblemën e UEJL-së, në shenjë mirënjohjeje për përkrahjen e vazhdueshme që Ambasada dhe ambasadorja ua jep të rinjve.
Ky aktivitet reflektoi angazhimin e përbashkët të Ambasadës së SHBA-ve dhe Universitetit të Evropës Juglindore për zhvillimin e arsimit dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare.
