Të pranishmëve iu drejtua Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë historike të datës së themelimit të Universitetit dhe rolin kyç të UEJL-së në avancimin e arsimit, inovacionit dhe gjithëpërfshirjes. Ai nënvizoi se zhvillimi i shtatë fakulteteve, përfshirë dy më të rejat — të Shkencave Teknike dhe atyre Shëndetësore — përbën një dëshmi të qartë të dinamizmit dhe vizionit strategjik të institucionit.
Rektori Ibraimi foli edhe për disa prej arritjeve më të rëndësishme të vitit, si lansimi i Vitit Përgatitor për studentët ndërkombëtarë, iniciativa novatore “AI at SEEU”, si dhe pjesëmarrja aktive e UEJL-së në Aleancën Evropiane “Challenge EU”, ku universiteti vlerësohet si një nga motorët kryesorë të projektit.
Në fjalimin e tij kryetari i Bordit të Universitetit, Prof. Dr. Klaus Tohterman, përcolli një këndvështrim simbolik për numrin 24, duke e lidhur atë me vazhdimësinë, stabilitetin dhe arritjen — vlera që, sipas tij, e kanë karakterizuar UEJL-në që nga themelimi. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për studentët e doktoraturës, stafin e Universitetit dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në konsolidimin e UEJL-së si një institucion modern, të qëndrueshëm dhe me ndikim të gjerë shoqëror.
Në kuadër të përvjetorit, UEJL promovoi kandidatët e doktoratës, ndërsa stafit me 20 vite dhe 10 vite përvojë pune në Universitet iu ndanë mirënjohje dhe dhurata për kontributin e tyre afatgjatë në zhvillimin e institucionit.
Programi artistik i ceremonisë u pasurua nga performanca e artistes së njohur operistike nga Tetova, Besarta Murtezani, pianisti Shkëlzen Baftiari, si dhe Kori i Tetovës nën udhëheqjen e maestros Jeton Pustina, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë të veçantë kulturore. Ceremonia mjeshtërisht u moderua nga Arbra Sulejmani.
Në përmbyllje, ceremonia u shënua si një moment reflektimi dhe rikthimi te vlerat themelore të universitetit — përfshirja, inovacioni dhe integriteti — duke riafirmuar përkushtimin e UEJL-së për të vazhduar misionin e tij në edukimin dhe fuqizimin e gjeneratave të reja.
