Me fjalë rasti u paraqitën Akademik Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, redaktor i librit, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj vepre si dëshmi autentike e një rrugëtimi profesional dhe intelektual të ndërtuar me përkushtim ndër vite. Ai theksoi dimensionin dokumentar dhe reflektues të librit, duke e cilësuar atë si një kontribut me vlerë për kujtesën institucionale dhe shoqërore.
Prof. Dr. Ismet Osmani, i cili ka bërë lekturimin e librit, u ndal te struktura gjuhësore dhe qartësia e rrëfimit, duke nënvizuar se libri karakterizohet nga një stil i drejtpërdrejtë, i sinqertë dhe i rrjedhshëm, që e bën leximin të afërt dhe frymëzues.
Ndërkaq, shkrimtari dhe poeti Lulzim Haziri foli për dimensionin publik të veprës, duke theksuar rëndësinë e ndarjes së përvojave personale dhe profesionale me brezat e rinj, si një formë motivimi dhe orientimi për të ardhmen.
Në fund të promovimit, autori Prof. Dr. Nasir Selimi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke shprehur mirënjohje të veçantë për bashkëpunëtorët e tij në realizimin e këtij botimi. Ai theksoi se përvoja e tij shumëvjeçare në arsim dhe angazhimi institucional kanë qenë frymëzim për këtë vepër.
Prof. Dr. Nasir Selimi ka qenë pjesë e stafit akademik dhe e udhëheqësisë së Universitetit të Evropës Juglindore, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin akademik dhe institucional të universitetit.
Promovimi i librit “Gjurmët e një jete” u përmbyll në një atmosferë të ngrohtë dhe bashkëbiseduese, duke konfirmuar edhe një herë rolin e Universitetit të Evropës Juglindore si hapësirë e kultivimit të mendimit, dialogut dhe krijimtarisë intelektuale.
