Gjatë vizitës, delegacioni i LBTU-së pati mundësinë të takojë ekipin e Institutit "Max van der Stoel" (MVDSI), duke përfshirë drejtorin e tij, Prof. Dr. Veli Kreci. Takimi shërbeu si një rast i mirë për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar mundësi të ndryshme kërkimore me interes të përbashkët.
Delegacioni u takua, gjithashtu, me Prof. Dr. Veland Ramadanin, Prorektor për Hulumtim Shkencor dhe Ndërmarrësi, dhe Prof. Dr. Florije Ismaili, Këshilltare për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim. Këto diskutime u fokusuan në mundësitë për bashkëpunim kërkimor, si dhe në programet potenciale për diplomë të dyfishtë (double degree) mes dy institucioneve.
Si pjesë e qëndrimit të tyre në UEJL, ekipi i LBTU-së vizitoi edhe disa nga hapësirat e universitetit, përfshirë Bibliotekën e UEJL-së, ku u takuan me drejtoreshën Elmedina Abdullahi, si dhe Laboratorin STEM dhe Laboratorin VR. Vizita ofroi një mundësi të vlefshme për të prezantuar një pjesë të mjedisit akademik dhe kërkimor të UEJL-së dhe për të eksploruar më tej fushat për bashkëpunim në të ardhmen.
Falënderojmë sinqerisht kolegët tanë nga LBTU për vizitën në UEJL dhe presim me padurim mundësitë e radhës për të punuar së bashku.
Si partnerë në aleancën universitare ChallengeEU, UEJL dhe LBTU vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin e tyre përmes shkëmbimit akademik dhe diskutimeve të përbashkëta për bashkëpunimin e ardhshëm.
