Rektori Dika me këtë rast i njohu deputetët në fjalë lidhur me aktivitetin akademik dhe shkencor të UEJL-së përgjatë 15 viteve të ekzistencës së tij.
“Përpjekjet e Universitetit të Evropës Juglindore, gjegjësisht të Bordit të universitetit kanë ngulmuar në ndjekjen e standardeve ndërkombëtare të cilësisë në universitet. Krahas stafit vendor dhe nga rajoni ka qenë e mirëseardhur edhe përkrahja e stafit ndërkombëtar të universiteteve partnere për të na udhëzuar në dizajnimin e programeve studimore që të ruajmë balancat e dijeve, shkathtësive dhe kompetencave për të qenë aty ku janë edhe ata”, tha ai. Sipas rektorit Dika “vazhdon beteja për një menaxhim të bazuar në një diversitet kulturash dhe tendenca e matjes dhe monitorimit të performancës. “Profesorët dhe stafi administrativ i universitetit me përkushtim, kompetencë po I përgatisin studentët me dije dhe shkathtësi të duhura për tregun e punës, atë aktual, por edhe për të hapur tregje të reja, duke edukuar të rinj me besim në vete, të guximshëm për t’u ballafaquar me sfidat, për të qenë kreativë dhe rinovues, por edhe me kulturë të hapur ndaj dallimeve dhe reflektues e pozitivë ndaj ndryshimeve të shumëpritur”, nënvizoi rektori Dika.
Deputetët e delegacionit parlamentar të arsimit nga Kosova u ndanë të kënaqur me arritjet e Universitetit të Evropës Juglindore, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë me UEJL-në.
