Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Ambasadorja e Holandës në RMV, Ozlem Canel, ligjëroi në UEJL me temë “Çfarë ardhmërie dëshironi?”

Ambasadorja e Holandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.S. Ozlem Canel, zhvilloi sot një takim me Rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Sadudin Ibrahimi. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin aktual ndërmjet Ambasadës së Holandës dhe UEJL-së, si dhe për mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë. Në takim ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit, Mr. Nebi Xhemali dhe Këshilltare për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi.

Pas takimit, ambasadorja Canel mbajti një ligjëratë për studentët e UEJL-së me temë “Çfarë ardhmërie dëshironi?”.

Në emër të UEJL-së, ambasadores i dëshiroi mirëseardhje Prof. Dr. Besa Arifi, e cila theksoi lidhjen e veçantë historike të Holandës me Universitetin dhe kontributin e rëndësishëm të Qeverisë holandeze në themelimin dhe zhvillimin e tij.

“Holanda zë një vend të veçantë në historinë e Universitetit tonë. Që nga fillimet e tij, Qeveria holandeze ka qenë një partnere e rëndësishme në mbështetjen e themelimit dhe zhvillimit të UEJL-së dhe të vizionit të tij për një universitet gjithëpërfshirës, shumëgjuhësh dhe të orientuar ndërkombëtarisht”, theksoi Prof. Dr. Besa Arifi.

Ajo shtoi se, në vitin kur UEJL shënon 25-vjetorin e themelimit, Universiteti shpreh mirënjohjen e veçantë për miqësinë dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm me Holandën.

Gjatë ligjëratës, ambasadorja Canel foli për rolin e Holandës si shtet anëtar i Bashkimit Evropian, duke nxitur reflektimin mbi të ardhmen që dëshirojnë të ndërtojnë të rinjtë dhe mbi rolin e vendeve anëtare në proceset e integrimit evropian.

Ligjërata u pasua nga një diskutim konstruktiv me studentët, të cilët parashtruan pyetje lidhur me mënyrat e nxitjes së të rinjve për ta parë të ardhmen e tyre në vend, si dhe për të marrë një rol aktiv dhe për të dhënë kontribut konkret në zhvillimin e shoqërisë.

Takimi dhe ligjërata riafirmuan rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet UEJL-së dhe Holandës, si dhe të dialogut mbi perspektivën evropiane dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit përmes nismave dhe projekteve të përbashkëta.

Google+