Universiteti ynë gjithmonë do t’i mbështesë dhe do t’i nxisë të gjitha nismat, idetë dhe projektet që si synim përfundimtar e kanë zhvillimin e dijes profesionale dhe shkencore, tha në fjalën e tij përshëndetëse rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika.
“Kur për herë të parë e pata në duar librin “Bazat e diplomacisë”, të cilin po e promovojmë sot, thash “po, këtë libër duhet ta kenë të gjithë studentët, të gjithë studiuesit edhe në shqip”. Kështu edhe ndodhi, kurse rezultatin po e shohim sot në këtë amfiteatër dhe në këtë universitet. Diplomacia është fushë e gjerë dhe për të kanë shkruar, kanë hulumtuar dhe kanë kontribuuar shumë autorë, por mendoj se libri i prof. Jazbec paraqet një kontribut origjinal shkencor për diplomacinë, i cili i plotëson dhe pasuron bibliotekat tona universitare në këtë fushë”, tha mes tjerash rektori Dika.
Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, ish-ambasadori Prof. Dr. Blerim Reka, në recensionin e tij vuri në pah rëndësinë e librit si burim praktikash dhe informatash për studentët e diplomacisë, por edhe të studiuesve të tjerë, që diplomacinë e kanë si pjesë të kërkimeve të tyre.
Prof. Dr. Ylber Sela, në vështrimin e tij rreth librit, duke e vlerësuar atë si shumë të arrirë në fushën e diplomacisë, tha se libri ka një metodologji të qartë, është lehtë i kuptueshëm dhe mund të shërbej si burim i rëndësishëm gjatë studimeve të diplomacisë.
Doc. Dr. Demush Bajrami, e theksoi bashkëpunimin që ambasadori ka me Universitetin dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi, siç u shpreh ai, u realizua edhe botimi nga UEJL i versionit shqip të librit “Bazat e diplomacisë”.
Autori i librit, ambasadori Prof. Dr. Milan Jazbec, tha se ndjehet i nderuar për këtë ngjarje të organizuar nga Universiteti i Evropës Juglindore, pa ndihmën e të cilit ndoshta ky libër nuk do të gjente rrugën e botimit.
“Jam munduar që librin ta shkruaj jo vetëm si tekst shkollor, por edhe si udhëzues praktik se si duhet të krijohet dhe organizohet vetë diplomacia”, tha prof. Jazbec.
Versioni shqip i librit është botuuar nga Universiteti i Evropës Juglindore.
Promovohet libri i ambasadorit slloven “Bazat e diplomacisë”
6 korrik 2017Në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, të enjten (6 korrik 2017), u promovua libri i përkthyer në shqip i ambasadorit të Sllovenisë në Shkup, Prof. Dr. Milan Jazbec, me titull “Bazat e Diplomacisë”. Në promovim morën pjesë, ambasadorë, ish ambasadorë, profesorë dhe studiues të diplomacisë.
Më shumë lajme
- UEJL forcon bashkëpunimin me ZBW – Leibniz Information Centre for Economics
- Vizita e delegacionit të Western Carolina University (SHBA) në UEJL
- Fakulteti i Shkencave Teknike në UEJL hapi Ekspozitën XII të Projekteve Studentore në Arkitekturë dhe Dizajn
- Delegacioni i Universitetit Mid Sweden viziton UEJL-në: Diskutohen programe të përbashkëta studimi dhe mundësi të reja mobiliteti
- Biblioteka "Maks van der Shtul" në Simpoziumin Ndërkombëtar në Oslo
- Në UEJL u promovua projekti ndërkufitar “Green Schools Initiative”
- Delegacioni i Universitetit të Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Zvicrës Veriperëndimore (FHNW) e vizitoi UEJL-në