Në këtë ngjarje, përveç Rektorit të UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, morën pjesë edhe përfaqësues të Fondacionit Shams, të udhëhequr nga kryetari i këtij fondacioni, Kamruddin Shams.
Rektori Bexheti, i uroi të gjithë studentët për festën, duke i porositur që tu drejtohen shërbimeve të Universitetit dhe nëse është e nevojshme edhe vetë atij për çdo kërkesë të tyre lidhur me studimet.
“E di se jeni shumë larg familjeve tuaja në këtë ditë të rëndësishme për ju, por të jeni të sigurt se këtu keni familjen e dytë, e ajo është familja e madhe e UEJL-së, e cila do t’ju mbështes në rrugëtimin tuaj akademik”, tha Rektori Bexheti.
Rektori Bexheti, po ashtu falënderoi përfaqësuesit e Fondacionit Shams për bashkëpunimin e arritur dhe mundësinë e ofruar për rritjen e numrit të studentëve ndërkombëtarë nëpërmjet këtij fondacioni në të ardhmen.
Studentëve, iu drejtua edhe kryetari i Fondacionit Shams, Kamruddin Shams, i cili falënderoi Rektorin dhe UEJL-në për pritjen e mrekullueshme të studentëve nga Taxhikistani dhe Pakistani.
“Jam i nderuar që gjendem me ju sot, sepse për mua ishte një realizim i ëndrrës, që si Martin Luter Kingu, e kisha dhe që u realizua me ardhjen e studentëve në këtë Universitet”, tha drejtuesi z. Shams.
Studentët ndërkombëtarë, realizuan disa këngë dhe valle, që janë traditë për festën e Sulltan Nevruzit, kurse për të pranishmit kishin përgatitur edhe gatime tradicionale.
Përveç stafit, në këtë manifestim, morën pjesë edhe studentë të tjerë të UEJL-së të udhëhequr nga Parlamenti dhe Asociacioni Studentor.