“Studenti është në qendër të vëmendjes dhe ne jemi të përgatitur t’ju përgjigjemi çdo kërkese ose shqetësimi që mund ta keni. Mjafton ju të jeni të përkushtuar, me pasion dhe me entuziazëm t’i përvisheni punës për ta ndërtuar të ardhmen tuaj.”, theksoi në fjalimin e tij rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në takimin me studentët .
“Duhet t’i shfrytëzoni përparësitë konkurruese që i ofron UEJL-ja në funksion të përgatitjes sa më profesionale për një të ardhme sa më të mirë për Ju dhe familjet Tuaja. Këto mundësi nuk janë tregime imagjinare, por realitet që mund ta konfirmoni nga gjeneratat paraprake, posaçërisht të 4-5 viteve të fundit!.”, nënvizoi rektori Bexheti.
Rektori i porositi studentët ta shfrytëzojnë ambientin shumkulturor dhe shumgjuhësor për të krijuar rrjetëzime, si ato vendore e rajonale, ashtu edhe ndërkombëtare, që aq shumë do tu vlejnë nesër.
“Jam shumë i kënaqur që kemi bashkëpunim me universitetin më të njohur në Maqedoninë e Veriut dhe në rajonin më të gjerë. Arsimi është mjeti kryesor për ta fuqizuar individin dhe të jeni të sigurt se këtë cilësi do ta fitoni në këtë institucion”, tha presidenti i Fondacionit Shams, nga Dallasi i SHBA-ve, Kamrudin Shams.
“Parlamenti dhe Asociacioni Studentor do të jetë gjithmonë pranë jush në rrugëtimin që sapo e keni filluar dhe do të keni gjithmonë përkrahjen tonë në çdo nismë dhe ide që do ta keni”, tha në fjalimin e tij Demir Demiri, kryetar i këtij asociacioni.
Ai i ftoi studentët e ri t’iu bashkëngjiten klubeve të shumta studentore, si dhe të jenë pjesë aktive e organizimeve studentore.
Në takimin që u realizua në Qendrën e UEJL-së, në Shkup, mirëseardhje studentëve iu dëshiroi Prorektori për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, Prof. Dr. Adrian Besimi, drejtori i Qendrës së UEJL-së, Prof. Dr. Veland Ramadani dhe nënkryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Adem Sopa.
Gjatë javës orientuese, studentët do të njihen me infrastrukturën e Universitetit, do të pajisen me dokumentet e identifikimit studentor (kartelat ID), do ta përpilojnë orarin dhe do të njihen me këshilltarët për çështje studentore dhe administratën e Universitetit.
Ata, po ashtu do të njihen me shërbimet kryesore të universitetit, si shërbimin studentor, shërbimin e teknologjive informatike, bibliotekën, shërbimin e karrierës dhe me fakultetet, ku ata kanë zgjedhur të studiojnë.
