Nisma u zhvillua në kuadër të paketave të punës 4 dhe 5 (WP4 dhe WP5) të ChallengeEU, nën koordinimin e prof. Arta Mero, përgjegjëse për ODEI në ChallengeEU dhe profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Drejtësisë të UEJL-së, dhe Prof. Shpresa Alija, përgjegjëse për M.A.R.K.E.T. në ChallengeEU dhe profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë të UEJL-së. Aktiviteti mblodhi nxënës të shkollave të mesme të Tetovës, studentë dhe staf të Universitetit, me qëllim nxitjen e dialogut të hapur mbi shëndetin mendor, abuzimin me drogën, parandalimin e varësisë dhe rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe shoqërore.
Ngjarja u përqendrua në sfidat që lidhen me abuzimin me drogën dhe shëndetin mendor, duke i trajtuar ato nga këndvështrimi juridik, mjekësor, arsimor dhe shoqëror, me theks të veçantë në rëndësinë e parandalimit, ndërgjegjësimit dhe ndërhyrjes në kohë.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues të akademisë, sektorit të shëndetësisë, institucioneve publike dhe organizatave studentore, të cilët ndanë pikëpamje dhe përvoja nga fushat e tyre përkatëse.
Namik Abdi, kryeshef i Njësisë për Tregti të Paligjshme me Drogë dhe Armë në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, trajtoi aspektet ligjore të abuzimit me drogën, duke theksuar pasojat e tij dhe rëndësinë e parandalimit, veçanërisht te të rinjtë.
Prof. Naser Durmishi, psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë dhe profesor i asociuar në UEJL, ndau përvoja nga praktika klinike, duke vënë në pah pasojat e shumta të abuzimit me drogën në shëndetin fizik dhe mendor të individëve, si dhe ndikimin në marrëdhëniet familjare dhe mirëqenien sociale.
Ardian Ramadani, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Komunës së Tetovës, theksoi nevojën për mbështetje më të fuqishme institucionale për të rinjtë, duke filluar që në fazat e hershme të arsimimit. Ai nënvizoi rëndësinë e edukimit parandalues, shërbimeve të qasshme mbështetëse dhe krijimit të një mjedisi ku nxënësit ndihen të sigurt për të kërkuar këshillim dhe ndihmë.
Diskutimi u moderua nga Alketa Mustafi, përfaqësuese e Këshillit Studentor të ChallengeEU dhe zyrtare në Zyrën për Koordinimin e Projekteve në UEJL.
Nën mesazhin “Të kërkosh ndihmë është shenjë guximi, jo dobësie”, nisma ndërgjegjësuese vuri në pah rëndësinë e komunikimit të hapur, mirëkuptimit dhe qasjes në informacione të besueshme dhe shërbime mbështetëse.
Pas përfundimit të diskutimit, pjesëmarrësit patën mundësi të bashkëbisedojnë me ambasadorët studentorë të ChallengeEU në UEJL, Ela Ismaili dhe Muhhamed Ademi, të cilët prezantuan mundësitë që ofron Aleanca për pjesëmarrjen e studentëve, bashkëpunimin ndërkombëtar, mobilitetin dhe angazhimin në nismat universitare.
E organizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të UEJL-së, kjo nismë pasqyroi përkushtimin e ChallengeEU ndaj gjithëpërfshirjes, mirëqenies së studentëve dhe përgjegjësisë shoqërore, duke theksuar njëkohësisht përpjekjet e Universitetit për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, shkollave të mesme dhe institucioneve publike, me qëllim nxitjen e ndërgjegjësimit, parandalimit dhe mbështetjes së ndërsjellë në shoqëri.
