Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, së bashku me Prorektorin për Planifikim, Hulumtime dhe Ndërmarrësi, Prof. Dr. Veland Ramadani, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të UEJL-së, z. Nebi Xhemali, marrin pjesë sot në aktivitetet për shënimin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir.
Delegacioni i UEJL-së vizitoi Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, ndërsa në mbrëmje mori pjesë në manifestimin qendror, i cili mbahet në Pallatin e Kulturës në Manastir, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Aktivitetet e sivjetme zhvillohen edhe në kontekstin e vizitës së Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në Manastir, me rastin e kësaj date historike.
Këtë vit shënohet 118-vjetori i Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike të vitit 1908, e cila përcaktoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe dhe shënoi një pikë kthese në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Përfaqësimi i UEJL-së në këtë manifestim dëshmon përkushtimin e Universitetit ndaj gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore, si dhe rëndësinë që i kushton rolit të arsimit të lartë në ruajtjen e vlerave historike dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.